Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Mediat greke kanë hyrë zyrtarisht në fazën “panik me aromë lavande”, pasi Ivanka Trump guxoi të buzëqeshë, të darkojë dhe – skandali kulmor – të përqafojë kryeministrin shqiptar Edi Rama, nën hijen kërcënuese të një investimi modest prej vetëm 1 miliard dollarësh.

Mediat greke kanë hyrë zyrtarisht në fazën “panik me aromë lavande”, pasi Ivanka Trump guxoi të buzëqeshë, të darkojë dhe – skandali kulmor – të përqafojë kryeministrin shqiptar Edi Rama, nën hijen kërcënuese të një investimi modest prej vetëm 1 miliard dollarësh.
Sipas Protothema-s, përqafimet nuk ishin thjesht njerëzore, por gjeopolitike. Burime pranë panikut grek bëjnë me dije se çdo shtrëngim duarsh përkthehet automatikisht në: 3 vila luksoze 1 bunker të kthyer në spa dhe 0.5 metra katrorë sovranitet simbolik grek të humbur (emocionalisht).
Ivanka, e cila sipas artikullit është dashuruar njëkohësisht me Sazanin, ushqimin shqiptar dhe vetë Ramën (në këtë renditje ose jo, mbetet e paqartë), po akuzohet se ka përdorur armën më të rrezikshme diplomatike: një darkë miqësore në Vlorë me muzikë polifonike.
Ndërkohë, Sazani – ish-bazë ushtarake, ish-territor misterioz, ish-strehë gjarpërinjsh, ish-“dikur grek ndoshta” – tani rrezikon të shndërrohet në Ishullin Trump, me mina tokësore të zëvendësuara nga mina… ari për investitorët.
Ekspertët grekë paralajmërojnë se situata është serioze: “Nëse kjo vazhdon, nesër Ivanka mund të pijë edhe një kafe turke në Tiranë dhe pasnesër Jared Kushner të ndërtojë një ‘Trump Tower’ që shihet nga Akropoli (në ditë me mjegull imagjinare).”
Nga ana tjetër, Rama vazhdon të shfaqet i qetë, mesdhetar dhe – sipas Protothema-s – tepër mikpritës, një tipar që në Ballkan konsiderohet më i rrezikshëm se çdo aleancë ushtarake.
Në fund, Athina mbetet në pritje, Sazani në zhvillim, dhe Ivanka… në një tjetër përqafim potencial që mund të tronditë ekuilibrat e Mesdheut.