E martë, 14 prill 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Balla ngatërron “linjën e BE-së” me 0900 dhe shpërthen kaosi në Kuvend: Seanca ndërpritet pas ofendimit ndaj Albana Vokshit

E premte, 6 mars 20269 lexime

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla iu drejtua deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi me fjalët: “Ty ta kam numrin me 0900…”.

Balla ngatërron “linjën e BE-së” me 0900 dhe shpërthen kaosi në Kuvend: Seanca ndërpritet pas ofendimit ndaj Albana Vokshit
Foto: Arkiva

Një debat parlamentar për integrimin europian përfundoi papritur në një kurs nostalgjie për numrat telefonikë të viteve ’90, pasi kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla arriti të ngatërrojë “green line” të Bashkimit Europian me një numër që shqiptarëve u kujton… linjat erotike.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla iu drejtua deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi me fjalët: “Ty ta kam numrin me 0900…”.

Kaq mjaftoi që në sallë të shpërthente kaosi. Deputetët e opozitës u ngritën në këmbë duke protestuar, duke e cilësuar deklaratën si ofendim ndaj koleges së tyre. Zërat u ngritën, akuzat fluturuan nga një krah në tjetrin dhe seanca përfundoi në një zhurmë që i ngjante më shumë një tregu politik sesa një debati parlamentar.

Gazment Bardhi dhe deputetë të tjerë të opozitës dëgjoheshin duke bërtitur nga vendi, ndërsa tensioni u rrit aq shumë sa drejtuesi i seancës u detyrua ta ndërpresë për disa minuta.

Ironia e situatës, sipas komentuesve satirikë të politikës, është se Balla më vonë u përpoq ta shpjegonte episodin duke thënë se në fakt kishte parasysh një numër informativ të Bashkimit Europian, një lloj “green line” ku qytetarët mund të marrin informacion për BE.

Problemi i vogël teknik: këto linja zakonisht janë 0800, ndërsa Balla përfundoi te 0900 – numri që shumë shqiptarë e mbajnë mend si telefonatat e famshme me tarifë për minutë të një epoke tjetër.

Pas rinisjes së seancës, Balla kërkoi ndjesë nëse Vokshi ishte ndjerë e ofenduar, duke këmbëngulur se kishte folur për një linjë informuese të Bashkimit Europian.

Por dëmi parlamentar ishte bërë tashmë: debati për integrimin europian përfundoi duke u ndërprerë mes britmash, akuzash dhe një dileme numerike që politika shqiptare nuk e kishte parë më parë.

Në fund, një përfundim doli qartë nga kjo histori: në Kuvendin shqiptar mjafton të ngatërrosh një 8 me një 9… dhe integrimi europian mund të përfundojë në kaos parlamentar.