Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
“Unë nuk kam pasur lidhje kurrë me korrupsionin. Hetimi të vijojë. Nuk e kam penguar kurrë drejtësinë. Dhe për ta bërë të qartë: unë nuk kam as 300, as 30, as 3 apartamente”, deklaroi Balluku pas largimit nga qeveria.

Në daljen e parë publike pas largimit nga detyra, ish-zv/kryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vendosi të sqarojë opinionin publik për disa nga akuzat dhe thashethemet që, sipas saj, kanë qarkulluar me shumë lehtësi në vend.
Gjatë ceremonisë ku i dorëzoi detyrën ministrit të ri të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, Balluku mbajti një fjalë që në vend të projekteve infrastrukturore u fokusua kryesisht tek infrastruktura e pasurisë personale – ose më saktë tek mungesa e saj.
“Unë nuk kam pasur lidhje kurrë me korrupsionin. Hetimi të vijojë. Nuk e kam penguar kurrë drejtësinë. Dhe për ta bërë të qartë: unë nuk kam as 300, as 30, as 3 apartamente”, deklaroi ajo para kamerave, duke vendosur një rekord të ri në matematikën politike shqiptare.
Deklarata e saj vjen në një moment kur SPAK e ka marrë zyrtarisht të pandehur për shkelje të barazisë në tendera, në një hetim që lidhet me procedurat për projektin e madh të Tuneli i Llogarasë dhe disa lote të Unaza e Madhe e Tiranës.
Sipas prokurorëve, në dosje ka elementë dhe prova që lidhen me mënyrën se si janë zhvilluar disa procedura tenderuese. Madje, SPAK ka kërkuar edhe arrestimin e saj, duke argumentuar se lënia e lirë mund të rrezikojë prishjen e provave apo ndikimin tek dëshmitarët.
Por për Ballukun, realiteti është shumë më i thjeshtë: sipas saj, gjithçka është produkt i “gjyqeve publike”, gjysmë të vërtetave dhe gënjeshtrave që, siç u shpreh ajo, përhapen me një shpejtësi shumë më të madhe sesa tenderat.
Në një përpjekje për të sqaruar edhe më tej inventarin e saj personal, ish-ministrja shtoi se nuk ka as jahte, as limuzina, as helikopterë dhe as avionë. Me fjalë të tjera, lista e gjërave që nuk zotëron duket të jetë më e gjatë se çdo projekt infrastrukture që ka menaxhuar gjatë mandatit të saj.
Analistët satirikë thonë se deklarata e Ballukut mund të shënojë një epokë të re në komunikimin politik shqiptar. Në vend që politikanët të deklarojnë pasuritë që kanë, ata mund të fillojnë të deklarojnë ato që nuk kanë.
“Unë nuk jam as 300, as 30 dhe as 3 apartamente”, tha ajo, duke lënë të kuptohet se identiteti i saj nuk matet me metra katrorë, por me qëndrueshmëri ndaj “gjyqeve publike”.
Ndërkohë, sipas burimeve satirike pranë opinionit publik, nëse ritmi i deklarimeve vazhdon kështu, në daljet e ardhshme Balluku mund të sqarojë edhe disa çështje të tjera të rëndësishme: se nuk ka as vila në Maldive, as ishuj privatë në Paqësor dhe as stacione hapësinore në orbitë.
Për momentin, ajo që mbetet e qartë është se hetimet e SPAK do të vijojnë për të zbardhur të vërtetën mbi tenderat dhe procedurat e dyshuara. Ndërsa nga ana tjetër, ish-zv/kryeministrja këmbëngul se e vetmja gjë që mund të provohet lehtësisht është se ajo nuk ka as 300, as 30 dhe as 3 apartamente.
Sepse, siç duket, në politikën shqiptare korrupsioni nuk matet më me dosje hetimore apo tendera miliardash, por me një pyetje shumë më të thjeshtë: sa apartamente ke… apo më saktë, sa apartamente nuk ke.