E premte, 9 janar 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Balluku zbret në terren: “Të shohim nga afër përmbytjen, se dosjen e shohim më vonë”

E enjte, 8 janar 20266 lexime

E shoqëruar nga kamera, çizme gome dhe deklarata të gatshme, Balluku u pa duke ecur mes ujit, ndërsa siguroi qytetarët se “shteti është pranë tyre”, edhe pse, sipas SPAK, shteti është gjithashtu shumë pranë saj.

Balluku zbret në terren: “Të shohim nga afër përmbytjen, se dosjen e shohim më vonë”
Foto: Arkiva

Pavarësisht kërkesës së SPAK për arrestimin e saj lidhur me dyshime për abuzime me tendera, zv/kryeministrja Belinda Balluku ka zgjedhur të mos ndalet nga axhenda e zakonshme shtetërore dhe ka zbritur sot në terren për të inspektuar nga afër banorët e përmbytur në disa zona të vendit.

E shoqëruar nga kamera, çizme gome dhe deklarata të gatshme, Balluku u pa duke ecur mes ujit, ndërsa siguroi qytetarët se “shteti është pranë tyre”, edhe pse, sipas SPAK, shteti është gjithashtu shumë pranë saj.

“Jam këtu për njerëzit, jo për thashethemet,” – mësohet të ketë thënë zv/kryeministrja, duke shmangur pyetjet për tenderat dhe duke u fokusuar tek thellësia e ujit, e cila sipas saj “është më e vogël se keqkuptimet”.

Burime jozyrtare bëjnë me dije se inspektimi u zhvillua me kujdes, për të mos rrëshqitur as në baltë, as në përgjegjësi. Ndërkohë, banorët e përmbytur u shprehën të lehtësuar që situata po monitorohet, megjithëse disa prej tyre u shprehën të hutuar: “Na erdhi ministrja, por s’e kuptuam nëse ishte për ne apo për alibinë.”

Nga ana tjetër, SPAK ka konfirmuar se procedurat ligjore vijojnë normalisht dhe se inspektimet në terren nuk përbëjnë rrethanë lehtësuese, sado të lagura të jenë çizmet.

Analistët vlerësojnë se ky është një rast klasik i ndarjes së pushteteve: drejtësia bën punën e saj në zyrë, politika bën punën e saj në terren, ndërsa qytetari vazhdon të notojë mes ujit, deklaratave dhe tenderave.

Në fund të vizitës, Balluku siguroi se situata do të monitorohet “hap pas hapi”, ndërsa për çështjen me SPAK, sipas saj, “do flasim në momentin e duhur” – një moment që, sipas traditës, pritet të vijë pas reshjeve, pas zgjedhjeve dhe pas harresës kolektive.