Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Në një deklaratë me nota të forta nostalgjie, Berisha la të kuptohet se, po të varej prej tij, Sazani do të ishte dhënë me kohë jo vetëm për zhvillim, por për “investitorë seriozë me emër, mbiemër dhe lidhje familjare të forta ndërkombëtare”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar edhe një herë qëndrimin e tij “të palëkundur” pro investimit në ishullin e Sazanit, duke theksuar se protestat kundër projektit aktual janë “hipokrizi politike” dhe “harresë selektive”.
Në një deklaratë me nota të forta nostalgjie, Berisha la të kuptohet se, po të varej prej tij, Sazani do të ishte dhënë me kohë jo vetëm për zhvillim, por për “investitorë seriozë me emër, mbiemër dhe lidhje familjare të forta ndërkombëtare”.
“Unë Sazanin e kam dhënë një herë në parim. Nuk kam pse bëj sikur jam ekologjist tani. Po të ma kishin lënë mua sot, do ta kisha dhënë vetë, pa zhurmë, pa protesta, ndoshta edhe me ceremoni,” – tha Berisha, duke buzëqeshur në mënyrë domethënëse.
Sipas burimeve pranë ish-kryeministrit, Berisha e sheh si “plotësisht normale” që ishulli të përfundojë në duart e dhëndrit të Donald Trump, duke shtuar se “kur investitori ka lidhje familjare me Shtëpinë e Bardhë, kjo quhet stabilitet strategjik”.
“Silvio Berlusconi u interesua, Fatos Nano e kishte në mendje, Ilir Meta fliste për kazino… pra Sazani ka qenë gjithmonë në qarkullim. Tani çfarë ndryshon? Vetëm mbiemri. Dhe mbiemri Trump nuk është i vogël,” – theksoi ai.
Berisha shtoi se nuk ka parë ndonjëherë biznesmen shqiptar të ofrojë 2 miliardë euro, ndërsa për dhëndrin e Trump dhe Ivankën la të kuptohet se “jo vetëm që do investonin, por do sillnin edhe imazh”.
“Ivanka aty, Sazani bëhet markë globale. Nga bunker në brand. Këtë s’e bën kushdo,” – u shpreh ai.
Në fund, Berisha nuk harroi të akuzojë kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ky i fundit “u ka dhënë oligarkëve shqiptarë toka shumë herë më të vlefshme se Sazani, por pa Ivankë dhe pa Trump”.
Ndërkohë, protestuesit mbeten të paqartë nëse po kundërshtojnë një investim, një ishull, apo faktin që këtë herë Sazani po jepet pa kaluar më parë nga duart e Sali Berishës.
(lajm satirik)