Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Pas ftesës personale për kryeministrin Edi Rama, presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të mos ndalet me kaq dhe ta kthejë “Bordin e Paqes” në një lloj “Big Brother Diplomatik”, duke ftuar edhe presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, si dhe homologun e tij bjellorus, Aleksandër Lukashenko.

WASHINGTON–TIRANË–MINSK–MOSKË (Lesh & Li) – Pas ftesës personale për kryeministrin Edi Rama, presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të mos ndalet me kaq dhe ta kthejë “Bordin e Paqes” në një lloj “Big Brother Diplomatik”, duke ftuar edhe presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, si dhe homologun e tij bjellorus, Aleksandër Lukashenko.
Sipas burimeve që “i dinë të gjitha por s’mbajnë përgjegjësi”, Rama e ka përshëndetur zgjerimin e Bordit me entuziazëm olimpik, duke e cilësuar ftesën për liderët lindorë si “një tjetër provë që Shqipëria është tashmë në të njëjtën fjali me superfuqitë, edhe kur fjalia është paksa pa pikësim”.
“Është një nder i jashtëzakonshëm,” thuhet se ka deklaruar Rama, “që në një bord paqeje të jemi ulur në të njëjtën tryezë me figura që kanë përvojë të gjatë… në menaxhimin e konflikteve. Disa duke i shmangur, disa duke i krijuar, por rëndësi ka eksperienca.”
Nga ana e tij, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, e ka pranuar menjëherë ftesën, duke deklaruar se “paqja është shumë e rëndësishme, sidomos kur vjen nga jashtë dhe nuk të prish punë brenda vendit”. Ai shtoi se është gati të kontribuojë me “stabilitet afatgjatë dhe metoda tradicionale”.
Ndërkohë, Vladimir Putin raportohet se “po e mendon ende” ftesën, pasi sipas zyrës së tij, ai dëshiron të shohë më parë axhendën e Bordit, hartën e botës dhe nëse në tryezë do të ketë mjaftueshëm hapësirë personale. Burime pranë Kremlinit thonë se Putin ka kërkuar garanci që fjala “paqë” të interpretohet “në mënyrë fleksibël”.
Bordi i Paqes për Gazën, i ideuar dhe kryesuar nga vetë Trump, përfshin tashmë një përzierje të pazakontë figurash: nga Tony Blair te Jared Kushner, nga Banka Botërore te miliarderë, diplomatë dhe tani, potencialisht, liderë që e shohin paqen si një projekt afatgjatë… shumë afatgjatë.
Në fund, Rama ka siguruar se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv: “Ne jemi të vegjël, por të bindur. Dhe kur të mëdhenjtë flasin për paqe, ne jemi aty për të duartrokitur në momentin e duhur.”
Burime të Lesh & Li bëjnë me dije se në takimin e parë të Bordit pritet të diskutohet seriozisht paqja, ndërsa pjesën tjetër të kohës do të merret një foto historike, ku askush nuk do të jetë plotësisht dakord pse është aty.