E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Drama e nënës që rrit tre fëmijë pa mbështetje, pasqyra e një shoqërie të braktisur nga shteti

E martë, 13 janar 202620 lexime

Në këtë histori, gjyshja denoncon, policia vepron, shërbimet sociale reagojnë, ndërsa fëmijët përfundojnë në qendër mbrojtjeje. Të gjithë bëjnë detyrën e tyre, por askush nuk shpjegon se ku ishte shteti para se fëmijët të mbeteshin pa ushqim, pa shkollë dhe në kushte jo higjienike. Me sa duket, shteti është gjithmonë i zënë deri në momentin që situata bëhet virale.

Drama e nënës që rrit tre fëmijë pa mbështetje, pasqyra e një shoqërie të braktisur nga shteti
Foto: Arkiva

Në Durrës, tre fëmijë u gjetën vetëm në shtëpi dhe alarmi u ngrit menjëherë: polici, prokurori, procedim penal, qendër mbrojtjeje, ekzaminime mjekësore, deklarata zyrtare. Shteti u shfaq i fortë, i shpejtë dhe i vendosur. Por vetëm pasi gjithçka kishte shkuar keq.

Historia e nënës 33-vjeçare, banakiere me 400 mijë lekë në muaj dhe 300 mijë lekë qira, u kthye brenda pak orësh në një dosje penale me titullin “keqtrajtim i të miturve”. Një nënë e vetme, tre fëmijë, një baba që “ndihmon” me 180 mijë lekë të vjetra në muaj dhe një jetë që mbahet me fije peri, u përkthyen zyrtarisht si problem penal. Sepse varfëria, në Shqipëri, nuk është më hall social, por dyshim penal.

Në këtë histori, gjyshja denoncon, policia vepron, shërbimet sociale reagojnë, ndërsa fëmijët përfundojnë në qendër mbrojtjeje. Të gjithë bëjnë detyrën e tyre, por askush nuk shpjegon se ku ishte shteti para se fëmijët të mbeteshin pa ushqim, pa shkollë dhe në kushte jo higjienike. Me sa duket, shteti është gjithmonë i zënë deri në momentin që situata bëhet virale.

Nëna thotë “nuk i braktisa”, gjyshja thotë “i gjeta vetëm”, institucionet thonë “po hetojmë”, ndërsa realiteti thotë diçka tjetër: kjo nuk është vetëm një dramë familjare, por një pasqyrë e një shoqërie ku mbijetesa quhet faj dhe varfëria trajtohet si krim.

Tre fëmijë që nuk shkojnë në shkollë për një muaj, që nuk kanë çfarë të hanë për ditë të tëra dhe që jetojnë në kushte të rënda, nuk janë thjesht përgjegjësi e një nëne të vetme. Janë bilanci i një shteti që di të procedojë, por nuk di të parandalojë; që di të ndëshkojë, por harron të mbështesë.

Në fund, fëmijët janë në qendër, nëna në procedim penal dhe shoqëria në ndërgjegje të qetë. Sepse edhe këtë herë, problemi “u zgjidh”: u mbyll në një dosje. Dhe shteti, si gjithmonë, erdhi… pasi gjithçka ishte braktisur.