E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Durana Tech Park e shndërron Xhafzotajn e Durrësit në Silicon Valley-n shqiptar

E martë, 13 janar 202644 lexime

Xhafzotaj i Durrësit shpallet “Cayman i Ballkanit”: Durana Tech Park e kthen livadhin në parajsë fiskale globale

Durana Tech Park e shndërron Xhafzotajn e Durrësit në Silicon Valley-n shqiptar
Foto: Arkiva

Ajo që dikur njihej si një zonë mes hekurudhës dhe serrave bujqësore, sot ka hyrë zyrtarisht në hartën botërore të financave. Falë vizionit futurist të Durana Tech Park, Xhafzotaj i Durrësit është shndërruar në një nga parajsat fiskale më të mëdha në botë, duke lënë pas Ishujt Cayman, Panamanë dhe madje edhe imagjinatën njerëzore.

Burime zyrtare bëjnë me dije se në Xhafzotaj janë regjistruar dhjetëra kompani multinacionale që nuk ekzistojnë fizikisht, por paguajnë taksa edhe më pak se sa ekzistojnë. “Është inovacion digjital,” – tha një zyrtar – “kompanitë janë virtuale, zyrat janë virtuale, taksat janë zero reale.”

Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, modeli shqiptar është revolucionar: një livadh + një vendim qeverie = parajsë fiskale. “Cayman-it iu deshën dekada, Xhafzotajt vetëm një VKM,” – u shpreh një analist financiar i habitur.

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili pretendon se e ka zbuluar fenomenin rastësisht duke kërkuar një park teknologjik dhe duke gjetur një parkim për lopë, e ka quajtur Duranën “Silicon Valley pa silikon, pa valle dhe pa taksa”.

Ndërkohë, investitorë nga e gjithë bota kanë shprehur interes për të zhvendosur selitë e tyre në Xhafzotaj, përfshirë kompani nga Cayman, Delaware dhe “te zyra e kushëririt”.

Qeveria ka premtuar fazën e dytë të projektit:

Ndërtimin e një plazhi artificial fiskal, një aeroport privat për kapitalin që ikën dhe një muze për taksat që nuk u paguan kurrë

Në fund, banorët lokalë shprehen krenarë: “Dikur s’na gjente njeri në hartë, sot s’na gjen as tatimorja.”