E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Groenlanda “ngre alarmin”: gati të mbrohet nga SHBA me karkaleca, akull dhe 160 km asfalt

E enjte, 15 janar 20266 lexime

Groenlanda, ishulli më i madh në botë dhe një nga më të qetët, ka deklaruar se është “plotësisht e përgatitur” për çdo skenar, përfshirë edhe një interes të shtuar nga Shtetet e Bashkuara, pas deklaratave të Presidentit Donald Trump se ishulli është një “domosdoshmëri për sigurinë kombëtare”.

Groenlanda “ngre alarmin”: gati të mbrohet nga SHBA me karkaleca, akull dhe 160 km asfalt
Foto: Arkiva

NUUK – Groenlanda, ishulli më i madh në botë dhe një nga më të qetët, ka deklaruar se është “plotësisht e përgatitur” për çdo skenar, përfshirë edhe një interes të shtuar nga Shtetet e Bashkuara, pas deklaratave të Presidentit Donald Trump se ishulli është një “domosdoshmëri për sigurinë kombëtare”.

Burime zyrtare nga qeveria gjysmë-autonome konfirmojnë se plani i mbrojtjes përfshin elementët më strategjikë të vendit: subvencionet daneze, karkalecat e detit dhe rrugët – të gjitha 160 kilometrat e tyre.

“Ne kemi avantazh të madh gjeografik. Nëse dikush tenton të hyjë thellë në territor, do të humbasë menjëherë, sepse… thjesht nuk ka rrugë ku të shkojë”, tha një zyrtar lokal, duke shtuar se shumica e zonave janë të mbrojtura natyrshëm nga akulli, mjegulla dhe mungesa e sinjalit celular.

Autoritetet theksojnë se Groenlanda ka gjithashtu një armë të fortë strategjike: durimin. “Jemi mësuar të presim. Presim subvencionet, presim shkrirjen e akullit, presim diversifikimin e ekonomisë. Mund të presim edhe flotën amerikane”, u shpreh një ekonomist vendas.

Ndërkohë, banorët e ishullit duken më pak të shqetësuar për një pushtim të mundshëm dhe më shumë për çmimin e peshkut dhe buxhetin e vitit të ardhshëm. “Nëse SHBA vjen, shpresojmë të paktën të sjellë disa rrugë të reja”, tha një banor i Nuuk-ut, duke u kthyer në restorantin e tij të preferuar tajlandez.

Danimarka, nga ana e saj, ka reaguar qetësisht, duke ritheksuar se Groenlanda tashmë mbrohet nga një sistem i fortë sigurie: shteti social nordik, i cili, sipas ekspertëve, është shumë më i vështirë për t’u pushtuar sesa për t’u financuar.

Për momentin, Groenlanda mbetet e palëkundur, e mbuluar me akull, e varur nga peshkimi dhe e bindur se kërcënimi më i madh nuk vjen nga jashtë, por nga llogaria bankare.