E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Hapet sezoni i ri i Kuvendit, nis edhe festivali i Teatrit Politik: sherre në skenë, bashkëpunim pas kuintave

E hënë, 19 janar 20266 lexime

Me tensione, zëra të ngritur dhe kore të improvizuara nga foltorja, ka nisur sot sesioni i ri parlamentar për vitin 2026, duke shënuar zyrtarisht hapjen e sezonit të ri të Teatrit Politik Shqiptar, një prodhim i përvitshëm ku sherri është publik, ndërsa bashkëpunimi mbahet privat.

Hapet sezoni i ri i Kuvendit, nis edhe festivali i Teatrit Politik: sherre në skenë, bashkëpunim pas kuintave
Foto: Arkiva

TIRANË – Me tensione, zëra të ngritur dhe kore të improvizuara nga foltorja, ka nisur sot sesioni i ri parlamentar për vitin 2026, duke shënuar zyrtarisht hapjen e sezonit të ri të Teatrit Politik Shqiptar, një prodhim i përvitshëm ku sherri është publik, ndërsa bashkëpunimi mbahet privat.

Që në minutat e para të seancës, sapo kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tentoi të hapë fjalën e tij solemne për “Europën, standardet dhe qytetarin”, deputetët e Partisë Demokratike pushtuan foltoren, duke kërkuar largimin e Belinda Ballukut nga salla, si pjesë e skenografisë klasike të aktit të parë: bllokimi ceremonial i punimeve.

“Si nuk u lodhe o burrë?”, dëgjohet Peleshit t’i shpëtojë replika, në një moment improvizimi artistik, drejtuar Gazment Bardhit, i cili fliste mbi fjalën e kryetarit, mbi zërin e kryetarit dhe mbi mikrofonin e Kuvendit – një teknikë e njohur kjo në dramaturgjinë parlamentare vendase.

Nga ana e tij, Bardhi nuk zhgënjeu publikun besnik të shfaqjes, duke replikuar: “Do kontrollosh ti Edi Ramën? Për kë kontroll po flet? Mblidh këshillin, dorëzoja drejtësisë”, – fjali që, sipas kritikëve të teatrit, shënon kulmin dramatik të aktit të dytë, ku protagonisti i opozitës flet për drejtësi, ndërsa e gjithë salla bën sikur dëgjon.

Ndërkohë që kamerat fokusoheshin te përplasjet, fjalori dhe nervat, pas shpinës së skenës, sipas burimeve imagjinare por shumë të besueshme të teatrit, mazhoranca dhe opozita vijonin provat për aktin e tretë: bashkëpunimin konsensual për reformat që “i kërkon Europa”, ndarjen e roleve në komisione dhe, sipas fabulës urbane, koordinimin harmonik për leje ndërtimi, kulla, kate shtesë dhe horizonte gjithnjë e më europiane betoni.

“Ne zihemi për popullin, por ndërtojmë bashkë për të ardhmen”, – do të ishte slogani i pashkruar i kësaj legjislature, ku sherret janë për publikun, ndërsa marrëveshjet ruhen me kujdes në dhomat VIP të realitetit politik.

Seanca u mbyll pa u mbyllur, fjalët u thanë pa u dëgjuar dhe mesazhi u dha qartë: Kuvendi ka nisur punimet, Europa është përmendur, tensioni është konsumuar dhe shfaqja mund të vazhdojë.

Publiku, si gjithmonë, ftohet të ndjekë episodin e radhës. Biletat janë falas, kostoja afatgjatë – ende në diskutim.