Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Në mbledhje morën pjesë ministra, drejtues institucionesh, prefektë, kryetarë bashkish, përfaqësues të policisë dhe ushtrisë, si dhe një numër i konsiderueshëm deputetësh të Partisë Socialiste, të cilët u shfaqën online nga makina, banesa, zyra personale dhe, në disa raste, nga timoni i mjetit në lëvizje, duke sfiduar njëkohësisht edhe përmbytjet, edhe Kodin Rrugor.

Kryeministri Edi Rama drejtoi sot nga zyra e tij në Kryeministri mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve intensive të shiut, reshje që – sipas burimeve zyrtare – “erdhën pa paralajmërim politik”.
Në mbledhje morën pjesë ministra, drejtues institucionesh, prefektë, kryetarë bashkish, përfaqësues të policisë dhe ushtrisë, si dhe një numër i konsiderueshëm deputetësh të Partisë Socialiste, të cilët u shfaqën online nga makina, banesa, zyra personale dhe, në disa raste, nga timoni i mjetit në lëvizje, duke sfiduar njëkohësisht edhe përmbytjet, edhe Kodin Rrugor.
Kryeministri theksoi se situata është serioze, por jo aq serioze sa për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke sqaruar se “jemi në emergjencë, por jo në atë lloj emergjence që sjell përgjegjësi shtesë”. Ai siguroi se qeveria është në terren, ndërsa deputetët do të jenë “syri, veshi dhe story-ja e Instagramit” pranë qytetarëve të prekur.
Gjatë mbledhjes u prezantuan masat që do të ndërmerren për mbështetjen e familjeve të prekura nga përmbytjet, përfshirë vlerësime dëmesh, koordinim institucionesh dhe ndarje detyrash live për deputetët, në cilësinë e tyre të dyfishtë si përfaqësues të popullit dhe si strukturë operative emergjencash.
Sa i përket përgjegjësive, Komiteti arriti në përfundimin unanim se fajin kryesor e mban moti, i ndihmuar nga “tenxheret mediatike” që e ekzagjerojnë situatën dhe nga opozita, e cila – sipas Kryeministrit – “edhe shiun e përdor për politikë”.
Asnjë zyrtar nuk dha dorëheqje, asnjë institucion nuk pranoi dështim, ndërsa u ritheksua se përmbytjet janë një fenomen natyror, ndryshe nga bashkëjetesa e pushteteve, e cila në Shqipëri mbetet plotësisht artificiale.
Në përfundim të mbledhjes, Kryeministri u shpreh optimist se situata do të normalizohet sapo të pushojë shiu, të qetësohen mediat dhe të heshtë opozita – duke provuar edhe një herë se në raste emergjence, shteti, partia dhe grupi parlamentar funksionojnë më mirë kur janë një dhe i njëjti institucion.