Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Ndërkohë, qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes dhe të informohen vetëm nga burime zyrtare, pasi Lana mund të rritet, por paniku jo.

Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që lumi Lana të rrisë nivelin e ujit, duke sfiduar qetësinë institucionale dhe duke u afruar rrezikshëm me lulishten pranë Pallatit me Shigjeta. Situata, megjithatë, është nën kontroll moral dhe politik, pasi në terren ka zbritur personalisht Taulant Balla.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla bëri të ditur se Lana po sillet siç sillet zakonisht sa herë bie shi, por këtë herë nuk është vetëm. Ekipet e Bashkisë së Tiranës, nën drejtimin e nënkryetarit Ilir Mëngra, ndodhen pranë lumit për ta ndjekur nga afër, në rast se vendos të dalë nga shtrati pa leje.
“Reshjet e dendura kanë rritur nivelin e ujit në Lanë”, shkruan Balla, duke nënkuptuar se uji po sillet në mënyrë të papërgjegjshme, por autoritetet janë aty për ta vëzhguar.
Sipas burimeve zyrtare, Lana ka arritur deri te lulishja dhe po mendon seriozisht të bëjë një shëtitje edhe në rrugë, por ende nuk ka marrë miratimin përfundimtar. Nëse reshjet vazhdojnë, nuk përjashtohet mundësia që lumi të dalë nga shtrati, një veprim që ai e ka provuar disa herë në të kaluarën, duke treguar se ka memorie institucionale.
Zona pranë Pallatit me Shigjeta mbetet pika më problematike, pasi Lana ka zakon të rikthehet aty sa herë ndjen pak shi më shumë se mesatarja. Autoritetet e dinë këtë, ndaj po qëndrojnë vigjilentë, duke shpresuar që prania e tyre fizike të mjaftojë për ta bindur lumin të sillet.
Ndërkohë, qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes dhe të informohen vetëm nga burime zyrtare, pasi Lana mund të rritet, por paniku jo.
Për momentin, situata mbetet e qetë, lumi rrjedh, shiu bie dhe institucionet monitorojnë me përkushtim, gati për ndërhyrje të menjëhershme… sapo të ndodhë diçka.