Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Në fund të fundit, Diella nuk u “arrestua” realisht. Por satira e bëri atë që shpesh mungon në realitet: nxori në pah absurdin. Dhe në Shqipëri, kjo është ndoshta forma më e sinqertë e transparencës.

Shqipëria ka shënuar një tjetër rekord historik: ministrja e parë e Inteligjencës Artificiale në botë është bërë edhe ministrja e parë AI që ‘arrestohet’… në satirë. Mediat kroate, me një ndjenjë solidariteti ballkanik, kanë vendosur të testojnë kufijtë e korrupsionit shqiptar duke “prangosur” Diellën për marrje ryshfeti në kriptovaluta.
Diella, e prezantuar me bujë nga kryeministri Edi Rama si arma përfundimtare kundër korrupsionit – sidomos atij të tenderave – rezulton se, sipas satirës, nuk ka mundur t’i shpëtojë dot realitetit lokal, edhe pse është e ndërtuar mbi kode, algoritme dhe shpresë digjitale.
Portali satirik kroat njoftoi se Diella kishte pranuar ryshfet në kripto, duke konfirmuar frikën më të madhe të qytetarëve shqiptarë: në këtë vend, edhe inteligjenca artificiale duhet të ketë mik.
Kryeministri Rama, i cili më herët kishte deklaruar me humor se Diella ishte “shtatzënë dhe do të lindte 83 fëmijë digjitalë për t’i ndihmuar deputetët”, nuk ka komentuar ende nëse këta “fëmijë” do të shërbejnë si dëshmitarë apo si konsulentë ligjorë.
Ironia bëhet edhe më therëse në një realitet ku tenderat realë vijojnë të prodhojnë hetime reale. Ndërsa Diella akuzohet vetëm në imagjinatë, ministra dhe drejtues institucionesh prej mishi e kocke po kalojnë nga zyrat luksoze te dyert e SPAK-ut, duke vërtetuar se korrupsioni në Shqipëri nuk ka nevojë për inteligjencë artificiale – funksionon shkëlqyeshëm edhe manualisht.
Ekspertët e satirës politike theksojnë se lajmi kroat nuk tall një program kompjuterik, por një ide: atë se teknologjia mund të zëvendësojë vullnetin politik. Sepse, siç duket, në një sistem ku tenderat mbeten problem edhe kur administrohen nga njerëzit “më të besuar”, është optimizëm i tepruar të mendosh se një algoritëm do të mbetet i pakorruptueshëm.
Në fund të fundit, Diella nuk u “arrestua” realisht. Por satira e bëri atë që shpesh mungon në realitet: nxori në pah absurdin. Dhe në Shqipëri, kjo është ndoshta forma më e sinqertë e transparencës.