E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Meta nga burgu lavdëron Ahmetajn në arrati: “Një luftëtar për të ardhmen e Shqipërisë”

E hënë, 12 janar 20267 lexime

Burime pranë realitetit paralel politik bëjnë me dije se Meta e konsideron Ahmetajn një “luftëtar për të ardhmen e Shqipërisë”, pavarësisht faktit se të dy ndodhen fizikisht larg saj: njëri pas hekurave, tjetri pas Alpeve. Analistët vërejnë se kjo është hera e parë që koncepti i “opozitës nga distanca” merr formë kaq të plotë institucionale.

Meta nga burgu lavdëron Ahmetajn në arrati: “Një luftëtar për të ardhmen e Shqipërisë”
Foto: Arkiva

Në një zhvillim që ka habitur vetëm ata që ende besojnë te rastësia në politikën shqiptare, Ilir Meta – aktualisht banor i përkohshëm i burgut dhe klient i përhershëm i SPAK-ut – ka gjetur kohë mes seancave të reflektimit për të lavdëruar ish-zëvendëskryeministrin socialist Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati në Zvicër, po ashtu i kërkuar nga SPAK me masë “arrest me burg”.

Meta, i akuzuar për korrupsion, ka vlerësuar “kurajën, integritetin dhe patriotizmin” e Ahmetajt për denoncimet e tij ndaj qeverisë, veçanërisht pas intervistës së fundit në Syri TV – televizioni i njohur gjerësisht si altoparlanti mediatik i PD-së, por tashmë edhe si studioja e re e bashkimit kombëtar të të pakënaqurve nga drejtësia.

Burime pranë realitetit paralel politik bëjnë me dije se Meta e konsideron Ahmetajn një “luftëtar për të ardhmen e Shqipërisë”, pavarësisht faktit se të dy ndodhen fizikisht larg saj: njëri pas hekurave, tjetri pas Alpeve. Analistët vërejnë se kjo është hera e parë që koncepti i “opozitës nga distanca” merr formë kaq të plotë institucionale.

Ndërkohë, SPAK vazhdon të hetojë të dy figurat, por duket se kjo nuk i ka penguar ata të gjejnë një gjuhë të përbashkët: denoncimin e qeverisë, secili nga pozicioni i vet – njëri nga qelia, tjetri nga ekzili zviceran.

Në Tiranë, qytetarët mbeten në pritje të episodit të radhës, ku pritet që edhe ndonjë tjetër i kërkuar nga drejtësia të shfaqet si “zëri i ndërgjegjes kombëtare”, mundësisht nga ndonjë studio televizive ose ambasadë e huaj. Në fund të fundit, politika shqiptare ka provuar se distanca nga vendi nuk ka qenë kurrë pengesë për të dhënë leksione morali.