E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Ministrat zbulojnë formatin e ri të transparencës: monolog para kamerës dhe ikje nga pyetjet

E premte, 9 janar 20266 lexime

Sipas burimeve jozyrtare (por të filmuara shumë bukur), ministrat tashmë nuk japin më intervista, nuk shkojnë në studio televizive dhe nuk mbajnë konferenca për shtyp. Në vend të kësaj, ata ecin me hap të vendosur në korridore, oborre, kantierë apo trotuare, duke recituar deklarata të shkurtra përpara një kamere besnike që nuk pyet kurrë: “Po pse?”

Ministrat zbulojnë formatin e ri të transparencës: monolog para kamerës dhe ikje nga pyetjet
Foto: Arkiva

Gazetaria shqiptare po përjeton ditë të vështira, ndërsa ministrat kanë hedhur një hap “historik” drejt komunikimit modern: flasin vetëm me veten, përmes kamerave të zyrave të shtypit, pa rrezikun e pyetjeve, ndërprerjeve apo – Zoti na ruajt – ndonjë gazetari të vërtetë.

Sipas burimeve jozyrtare (por të filmuara shumë bukur), ministrat tashmë nuk japin më intervista, nuk shkojnë në studio televizive dhe nuk mbajnë konferenca për shtyp. Në vend të kësaj, ata ecin me hap të vendosur në korridore, oborre, kantierë apo trotuare, duke recituar deklarata të shkurtra përpara një kamere besnike që nuk pyet kurrë: “Po pse?”

Ky format i ri, i quajtur “Monolog Institucional në Lëvizje”, ka disa avantazhe: – Nuk ka pyetje të pakëndshme – Nuk ka gazetarë këmbëngulës – Nuk ka nevojë për përgjigje – Dhe mbi të gjitha, nuk ka përgjegjësi

Në pamjet e transmetuara çdo fundjavë, ministrat shfaqen duke “inspektuar” nga larg, shpesh në orare kur qytetarët përballen me përmbytje, rrugë të bllokuara apo shërbime që nuk funksionojnë. Ndërkohë, sipas thashethemeve këmbëngulëse, disa prej këtyre inspektimeve rezultojnë të jenë xhiruar paraprakisht, ndërsa vetë protagonistët ndodhen në udhëtime private jashtë vendit, duke kontribuar në zhvillimin e turizmit ndërkombëtar.

Gazetarët, nga ana tjetër, janë futur në një fazë meditimi të detyruar: presin para zyrave, studiove dhe telefonave që nuk bien më. Pyetjet e tyre tashmë drejtohen në boshllëk, ndërsa përgjigjet vijnë të montuara, të kuruara dhe pa asnjë mundësi replike.

Ekspertët e komunikimit thonë se ky model është unik në botë dhe mund të eksportohet si “demokraci pa dialog”, një risi që kursen kohë, nerva dhe llogaridhënie.

Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të pyesin veten: a janë ministrat aty për të folur me kamerën, apo për t’u përgjigjur njerëzve? Pyetje kjo që, për momentin, nuk ka kamera që ta bëjë.