Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Nga sallonet luksoze të Big Brother-it, ku drama shërbehet me ndriçim profesional dhe audiencë prime-time, Monika Kryemadhi ka bërë sot një tranzicion të shpejtë e pa shumë nostalgji drejt zyrave të ngushta e pa dekor të SPAK-ut, aty ku skenarët nuk shkruhen nga produksioni, por nga prokurorët.

Në GJKKO po mbahet seanca paraprake për dosjen “Meta”, ku do të vendoset nëse ish-Presidenti Ilir Meta dhe bashkëudhëtarët e tij politikë do të kalojnë në fazën e gjykimit. Mes të pranishmëve, Kryemadhi – tashmë më pak “VIP” dhe më shumë “subjekt hetimi” – hyri me një siguri që s’e gjen as te nominimet e së premtes.
Por edhe pse nga reality show kaloi te realiteti penal, një gjë nuk ndryshoi: përshëndetja me dy gishta. Kryemadhi nuk i zhgënjeu kamerat, duke ua servirur gazetarëve simbolin e lirisë… ose të Partisë Demokratike, sipas rastit dhe humorit të ditës. Demokratët, që zakonisht e ruajnë këtë simbol për mitingje dhe humbje zgjedhjesh, sot e panë të përdorur si aksesor ironik para SPAK-ut.
Ndërkohë, avokati Kujtim Cakrani, në një moment inspirimi historik, krahasoi GJKKO-në me vitin 1945, duke lënë të kuptohet se drejtësia shqiptare ose është shumë e keqe, ose historia përsëritet sa herë klientët janë në telashe.
SPAK, nga ana tjetër, mbetet i ftohtë si korridoret e veta: hetime për CEZ-DIA-n, lobime në SHBA, pasuri të padeklaruara dhe akuza për korrupsion e pastrim parash. Meta ndodhet në burg që prej tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi, nga detyrimi i paraqitjes, ka kaluar te detyrimi i buzëqeshjes para kamerave.
Në fund, mes Big Brother-it dhe SPAK-ut ka një ndryshim të vogël: te i pari voton publiku, te i dyti… vendos drejtësia. Por për dy gishtat, Monika i ka gjithmonë gati✌️