E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Osmani në Davos me Trump, Rama mungon: “I zënë si dado e Ivanka Trump në Tiranë”

E premte, 23 janar 202632 lexime

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shfaqej e ulur pranë Donald Trump në Davos, duke dhënë mesazhe paqeje dhe duke zgjedhur ngjyrën e kuqe për diplomaci globale, Shqipëria këtë vit u përfaqësua nga… një mungesë.

Osmani në Davos me Trump, Rama mungon: “I zënë si dado e Ivanka Trump në Tiranë”
Foto: Arkiva

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shfaqej e ulur pranë Donald Trump në Davos, duke dhënë mesazhe paqeje dhe duke zgjedhur ngjyrën e kuqe për diplomaci globale, Shqipëria këtë vit u përfaqësua nga… një mungesë.

Kryeministri Edi Rama nuk u pa askund në Davos, pasi sipas burimeve “tejet të afërta me humorin”, ai ishte i angazhuar në një mision po aq delikat: rolin e dados për Ivanka Trump gjatë një vizite imagjinare në Tiranë.

Ndërkohë që Osmani fliste për Kushtetutë, protokoll dhe mesazhe direkte nga Shtëpia e Bardhë, Rama thuhet se ishte i zënë duke zgjedhur ngjyrat e çerdhes diplomatike, duke u siguruar që çdo vizatim në mur të kishte frymë bashkëpunimi euroatlantik.

Analistët vërejnë se kjo tregon dy qasje të ndryshme ndaj politikës së jashtme: Kosova – në Davos, në tavolinë me liderë botërorë. Shqipëria – në shtëpi, në rolin e mikpritësit universal, babysitter diplomatik dhe artist muralesh.

Nga ana tjetër, burime pranë kryeministrisë mohuan gjithçka, duke deklaruar se Rama “nuk ishte dado”, por thjesht “kujdestar vizioni” për marrëdhëniet strategjike familjare Trump–Ballkan.

Në fund të ditës, njëra palë mori mesazh nga Trump, tjetra thuhet se mori… lodrat. (lajm satirik)