Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Shqipëria po pasuron ofertën e saj turistike me ritme që as broshurat zyrtare nuk i parashikuan. Pas Kasmilit, i njohur ndërkombëtarisht si “Maldivet e Europës”, vendi ynë prezanton me krenari atraksionin më të ri: Durrësin e përmbytur, tashmë i cilësuar si “Venecia e Afrikës”.

Shqipëria po pasuron ofertën e saj turistike me ritme që as broshurat zyrtare nuk i parashikuan. Pas Kasmilit, i njohur ndërkombëtarisht si “Maldivet e Europës”, vendi ynë prezanton me krenari atraksionin më të ri: Durrësin e përmbytur, tashmë i cilësuar si “Venecia e Afrikës”.
Ky destinacion unik ofron një eksperiencë autentike ujore, ku rrugët shndërrohen në kanale, makinat në anije amatore dhe qytetarët në notarë të pavullnetshëm. Pa nevojë për gondola tradicionale — mjafton një çizme gome ose një gomone emergjence.
Ndryshe nga Venecia origjinale, e ndërtuar me plan urbanistik dhe histori shekullore, Venecia e Durrësit vjen si produkt modern i inovacionit shqiptar: pak shi, pak neglizhencë, pak deklarata dhe shumë ujë.
Autoritetet kanë sqaruar se kjo nuk është përmbytje, por turizëm sezonal. Një eksperiencë që ndodh vetëm pas reshjeve intensive dhe që tregon se Shqipëria nuk ka stinë, por surpriza.
Paketat turistike pritet të përfshijnë:
Shëtitje panoramike nëpër lagje me ujë deri në gju
Gara noti mes koshave të plehrave
Selfie me reflektimin e pallateve në pellgje urbane
Dhe atraksionin kryesor: gjetjen e përgjegjësit, një lojë që ende nuk ka fitues
Ndërkohë, për ata që pyesin pse ndodh kjo, përgjigjja zyrtare është e thjeshtë: faji është i qytetarëve. Ata, me mungesën e vizionit turistik, hedhin plehra në vende të papërshtatshme dhe nuk mendojnë se çdo shishe plastike mund të jetë një pengesë për zhvillimin e Venecias sonë.
Nga Shkodra në Lezhë, nga Gjirokastra në Durrës, Shqipëria po ndërton një rrjet të ri destinacionesh ujore. Një vend ku infrastruktura është e thatë vetëm në letër dhe përgjegjësia gjithmonë noton larg.
Në fund, mesazhi për turistët është i qartë: Ejani në Shqipëri — një vend ku edhe përmbytjet kanë potencial turistik, dhe ku çdo problem, me pak imagjinatë, mund të quhet sukses.