Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Poetja Liliana Ceni ka botuar librin e saj me poezi “Shtegu i Mbramë”, një vepër e ndërtuar mbi përjetime, emocione dhe reflektime mbi jetën, natyrën dhe botën e brendshme të njeriut.


Poetja shprehet se brenda secilit prej nesh mund të ekzistojë një grimcë poeti, e cila në një moment të caktuar të jetës kërkon të shprehet përmes vargut.
“Ndoshta secili prej nesh lind me një grimcë poeti brenda vetes. Në një moshë të caktuar shkruajmë vargje për të kuptuar botën ose për të dëgjuar më mirë zërin brenda vetes. Për disa ai zë zbehet me kalimin e kohës, për të tjerë vazhdon të ecë në heshtje derisa një ditë kërkon të bëhet libër”, shprehet Ceni.
Ajo tregon se ka nisur të shkruajë që herët, edhe pse krijimet e para nuk i ka ruajtur, pasi në atë kohë nuk i besonte ende forcës së fjalës së saj.
“Edhe unë kam shkruar herët. Krijimet e para nuk i ruajta. Më dukeshin të vogla, të papjekura dhe nuk i besoja ende fjalës sime. Sot e kuptoj se edhe ato ishin pjesë e rrugëtimit tim, sepse çdo varg, sado i thjeshtë, është një hap drejt tjetrit”, rrëfen poetja.
Sipas saj, libri “Shtegu i Mbramë” është rezultat i një procesi të gjatë krijues, i ndërtuar ngadalë, poezi pas poezie, duke mbledhur copëza emocionesh, mendimesh dhe përjetimesh.
“Ky libër lindi pikërisht nga ai rrugëtim. Ai është ndërtuar ngadalë, poezi pas poezie, duke mbledhur copëza emocionesh, mendimesh dhe përjetimesh”, thotë Liliana Ceni.
Frymëzimi i poetes vjen nga jeta e përditshme, natyra dhe vetë njeriu. Një detaj i vogël, një kujtim apo një ndjenjë mund të shndërrohet në burim krijimi.
“Frymëzimi im gjendet në jetën e përditshme, në natyrë, në gjithësinë, në vetë njeriun. Mjafton një gjethe që bie, e qara e një fëmije, shikimi i një të dashuruari, një heshtje, një dritë apo një kujtim që një varg të nisë të frymojë”, shprehet ajo.
Përmes këtij libri, Liliana Ceni synon t’u japë zë ndjenjave dhe përjetimeve që shpesh mbeten të pathëna, duke e kthyer poezinë në një udhëtim të brendshëm mes kujtimeve, emocioneve dhe reflektimeve njerëzore.