E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Pse shqiptarët nuk dalin në protesta? Aktori Mehdi Malkaj: Këtu luhet për bukën e gojës, shqiptarët kanë frikë…

E martë, 13 janar 20267 lexime

Aktori Mehdi Malkaj ka zbuluar më në fund arsyen pse protestat në Shqipëri duken më të rralla se autobusi urban që vjen në orar: frika për bukën e gojës. Sipas tij, shqiptari nuk është se nuk e do protestën, por e do edhe më shumë vendin e punës, rrogën, kushëririn e punësuar dhe hallën që sapo ka hyrë në administratë.

Pse shqiptarët nuk dalin në protesta? Aktori Mehdi Malkaj: Këtu luhet për bukën e gojës, shqiptarët kanë frikë…
Foto: Arkiva

I ftuar në “Top Story”, Malkaj rrëfeu se kur ka ftuar qytetarët të protestojnë, sidomos për Teatrin, përgjigjja ka qenë klasike shqiptare: “Po ik ore, ç’më duhet mua?” – një fjali që përkthehet lirshëm si: “Kam halle më të mëdha se demokracia.”

Sipas aktorit, sot nuk të fut më njeri në burg si dikur, por të ndodh diçka më e tmerrshme: të nesërmen zgjohet gjithë fisi i papunë. “Enveri të thoshte mos më shaj se të burgos,” – thotë Malkaj – “ky i sotmi të thotë fol sa të duash, por të hënën mos harro të çosh CV-në.”

Nga ana tjetër, moderatori Blendi Salaj shtoi se problemi nuk është vetëm frika, por edhe mungesa e besimit kronik, një sëmundje kombëtare që nuk shërohet as me protesta, as me antibiotikë. Ai theksoi se vetë ka dalë në shumë protesta qytetare, pa u ndjerë as hero e as martir, dhe për fat të mirë ende nuk i ka trokitur askush në derë me fjalinë: “Hajde pak, sa për sqarim.”

“Unë dal kur jam i bindur,” – tha Salaj – “jo në protesta politike, por në ato ku ka njerëz dhe jo parrulla me qira.”

Debati u mbyll me një reflektim filozofik nga Malkaj, i cili ngriti pyetjen ekzistenciale: “Po për lirinë çfarë bëhet?” Sepse, sipas tij, pa liri nuk ka jetë, por as jetë pa punë nuk ka. Dhe kështu shqiptari mbetet në dilemë: të dalë në protestë në këmbë, apo të rrijë në shtëpi e të shohë dikë tjetër që kalon me biçikletë e i thotë nga larg: “Mos dil, s’ia vlen.”

Në fund, protesta mbetet aty, në pritje. Shqiptarët po ashtu. Vetëm frika nuk mungon – ajo del gjithmonë në kohë.