Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Kryeministri Edi Rama rrëfeu sot një nga dilemat më dramatike të karrierës së tij ndërkombëtare: të firmoste në Davos me Donald Trump, apo të pinte një kafe mesdhetare me Ivanka Trump në Vlorë. Si çdo histori e mirë ballkanase, vendimi nuk mund të merrej pa lejen e babait.

Rama mes Davosit dhe Vlorës: Trump firmos vetëm, Ivanka merr Sazanin (me bekimin e babait)
Kryeministri Edi Rama rrëfeu sot një nga dilemat më dramatike të karrierës së tij ndërkombëtare: të firmoste në Davos me Donald Trump, apo të pinte një kafe mesdhetare me Ivanka Trump në Vlorë. Si çdo histori e mirë ballkanase, vendimi nuk mund të merrej pa lejen e babait.
Sipas kryeministrit, zgjedhja ra mbi Ivankën, sepse — siç duket — Davosi është i mbushur plot me liderë botërorë, ndërsa Sazani ka ende nevojë për një dorë të huaj, të fuqishme dhe me sens biznesi familjar.
Burime pranë qeverisë bëjnë me dije se Rama e përjetoi rëndë faktin që do të humbiste mundësinë për një foto epike me presidentin e SHBA-së, por u ngushëllua shpejt nga ideja se edhe një selfie në Vlorë, me pamje nga ishulli dhe një trashëgimtare Trump, vlen më shumë se një firmë në Alpe.
Ndërkohë, qeveria siguron se investimi i mundshëm në Sazan është “strategjik”, “elitar” dhe “vizionar”, ndryshe nga ato vendase, që kanë treguar se vizioni i tyre për turizmin luksoz përfundon zakonisht te skafet, muzika tallava dhe garat e zinxhirëve të floririt në Green Coast.
Ekspertët e turizmit theksojnë se Shqipëria nuk ka ende kapacitetet për investime të këtij niveli, ndaj mes një kompanie të huaj dhe “investitorëve strategjikë” vendas që ndërtojnë pa shije dhe pa plan, zgjedhja është e qartë: më mirë Ivanka, sesa një tjetër resort me palma plastike dhe beton kreativ.
Në fund, mbetet vetëm një pyetje pa përgjigje: a do të kërkohet sërish leja e babait për çdo firmë të ardhshme, apo kjo vlen vetëm kur bëhet fjalë për ishuj dhe vajza presidentësh?