E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Rama dhe pensionet: nga “s’ka lekë” te “pesëfishimi i durimit”

E hënë, 12 janar 202610 lexime

Viti 2026 paska hyrë në histori si viti kur pensionet shqiptare nisën të rriten, jo sepse u rritën ndjeshëm, por sepse më në fund u deklarua zyrtarisht se durimi i pensionistëve ka dhënë rezultat. Kryeministri Edi Rama, në podkastin “Flasim”, shpalli me solemnitet se epoka e shtrëngimit të dhëmbëve ka përfunduar – jo e pensionistëve, por e tij personale.

Rama dhe pensionet: nga “s’ka lekë” te “pesëfishimi i durimit”
Foto: Arkiva

Viti 2026 paska hyrë në histori si viti kur pensionet shqiptare nisën të rriten, jo sepse u rritën ndjeshëm, por sepse më në fund u deklarua zyrtarisht se durimi i pensionistëve ka dhënë rezultat. Kryeministri Edi Rama, në podkastin “Flasim”, shpalli me solemnitet se epoka e shtrëngimit të dhëmbëve ka përfunduar – jo e pensionistëve, por e tij personale.

Sipas Ramës, pensionet janë futur në një formulë matematikore që ngjan më shumë me një lojë tavoline: këtë vit një shtesë, vitin tjetër dyfish, pastaj trefish, katërfish dhe në Shqipërinë 2030… pesëfish. Jo pensioni, por shtesa. Një progresion që kërkon jo vetëm durim, por edhe memorie të fortë për të mbajtur mend se çfarë po shumëfishohet dhe nga se.

Kryeministri foli me emocione për vitet e vështira kur dilte para pensionistëve dhe u thoshte “s’ka mundësi, nuk kemi lekë”, ndërsa sot, pas reformash të thella, rritjes ekonomike dhe mbledhjes shembullore të të ardhurave, paska ardhur çlirimi i madh: pensionisti shqiptar mund të shpresojë se pas disa vitesh do të marrë disa herë më shumë… nga ajo që mori këtë janar.

Në këtë rrëfim intim, Rama na bëri të ditur se ka vuajtur shumë duke thënë “jo”, se është sikletosur, se i janë ngatërruar fjalët, se i është dashur të mendojë për “shtëpinë ku rriten fëmijët tanë”. Pensionistët, ndërkohë, kanë menduar për shtëpinë ku rriten faturat, ilaçet dhe çmimet.

Por durimi shpërblehet. Jo sot. As nesër. Por gradualisht. Shumë gradualisht. Aq gradualisht sa pensionistët duhet të jetojnë mjaftueshëm gjatë për të parë pesëfishimin e shtesës së janarit 2026, një arritje që kërkon shëndet të hekurt dhe besim të palëkundur te grafiqet e qeverisë.

Në fund, Kryeministri siguroi se kjo rritje nuk cenon stabilitetin financiar të shtetit. Stabiliteti është i paprekshëm. Pensioni, nga ana tjetër, është në proces rritjeje filozofike: sot shpresë, nesër premtim, pasnesër shumëfishim.

Dhe kështu, Shqipëria hyn në një epokë të re, ku pensionet nuk maten më me lekë, por me durim, progresion dhe podkaste. Gjyshet dhe gjyshërit mund të mos kenë shumë më tepër në xhep sot, por kanë diçka të çmuar: premtimin se e ardhmja do të jetë gjithmonë më e mirë… duke filluar nga viti tjetër.