Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
“Kasetat që s’ekzistojnë dhe udhëtimet që ekzistojnë”: Rama–Fevziu përplasen live… edhe kur s’janë live

Një debat i zjarrtë, por me temperaturë tropikale nga Amerika Latine, ka përfshirë hapësirën publike mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetarit Blendi Fevziu, pas deklaratës së këtij të fundit se “të paktën 7 ministra” udhëtojnë privatish jashtë vendit fundjavave, ndërsa në Shqipëri shfaqen në televizione përmes “kasetave”.
Kryeministri Rama reagoi me shpejtësinë e një transmetimi “live”, duke sqaruar se ministrat udhëtojnë vetëm me leje dhe miratim, dhe se për më tepër “prej vitesh s’ka më kaseta në nahijen tonë”, duke ngritur dyshime serioze për ekzistencën fizike të objektit të akuzës: kasetës.
Në reagimin e tij, Rama sugjeroi se alarmi i Fevziut mund të jetë ndikuar nga udhëtimet e shumta të gazetarit në Amerikën Latine, ku – sipas kryeministrit – Fevziu njëkohësisht hante llapingachos në Ekuador, pinte kafe në Bolivi dhe debatonte live në “Opinion”, duke provuar kështu se gazetaria shqiptare ka arritur nivelin e bilokacionit profesional.
Situata u bë edhe më dramatike kur Rama shtoi se një nga këto udhëtime përfundoi me Fevziun e kthyer mbrapsht nga policia venezuelane, ndërsa në Shqipëri “Fevziu televiziv” vijonte të kërkonte llogari për rendin publik, i veshur seriozisht dhe pa kapele kashte.
Nga ana tjetër, gazetari Blendi Fevziu ka njoftuar se do t’i kthejë përgjigje kryeministrit pasdite, pasi aktualisht po ndjek “tregun e djegur dhe miliona eurot e shkrumbuara të tregtarëve të vegjël”, duke e klasifikuar çështjen Rama–Fevziu zyrtarisht si “kronikë të zezë”.
Ndërkohë, publiku mbetet në pritje të episodit të radhës, ku pritet të sqarohet përfundimisht: – A ekzistojnë kasetat? – Sa ministra janë realisht në udhëtim? – Dhe mbi të gjitha, si ia del “Opinion” të jetë live edhe kur moderatori është në një tjetër kontinent?
Vazhdon… live.