E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Rama–Fevziu, kapitulli i radhës: Nga “7 ministra në udhëtime” te falja që s’po vjen

E martë, 13 janar 202618 lexime

Sipas Ramës, Fevziu “gënjeu hapur” shikuesit kur deklaroi se kishte fakte që “të paktën 7 ministra” udhëtonin privatisht jashtë vendit gjatë fundjavave, ndërsa në televizione linin kaseta sikur ishin në punë. Kryeministri thotë se kjo akuzë nuk u mbështet me asnjë provë dhe se gazetari, në reagimin e tij, nuk solli asnjë fakt për ta vërtetuar.

Rama–Fevziu, kapitulli i radhës: Nga “7 ministra në udhëtime” te falja që s’po vjen
Foto: Arkiva

Duket se kryeministri Edi Rama ka vendosur ta mbajë ndezur përplasjen në distancë me gazetarin dhe moderatorin e “Opinion”, Blendi Fevziu, duke e rikthyer çështjen në vëmendje me një postim të gjatë, të shoqëruar me foto-montazh dhe një dozë të bollshme ironie.

Sipas Ramës, Fevziu “gënjeu hapur” shikuesit kur deklaroi se kishte fakte që “të paktën 7 ministra” udhëtonin privatisht jashtë vendit gjatë fundjavave, ndërsa në televizione linin kaseta sikur ishin në punë. Kryeministri thotë se kjo akuzë nuk u mbështet me asnjë provë dhe se gazetari, në reagimin e tij, nuk solli asnjë fakt për ta vërtetuar.

Në stilin e tij karakteristik, Rama shprehet se Fevziun e penguan “dëbora e kudondodhur” dhe “kalendari i ngjeshur i influencerit” për t’u marrë seriozisht me këtë çështje, ndërsa ministrat – sipas tij – ishin “ditë e natë rrugëve” përballë vorbullës atmosferike të javëve të fundit.

Kryeministri shkon edhe më tej, duke i bërë një apel publik moderatorit të “Opinion” që të kërkojë falje, jo për qeverinë, por për shikuesit. Sipas Ramës, edhe pse shumica e tyre nuk janë votues të tij dhe madje janë “tifozë kundërshtarë”, ata mbeten shikues që meritojnë respekt dhe jo “shpifje plateale”.

Postimi mbyllet me një tjetër tiradë satirike, ku Rama flet për “llazoret demokratikase”, “sallonin e qimeve të opozitës” dhe “mexhelisin e 700 tenxhereve”, duke sugjeruar se ndoshta Fevziu, si “lider mediatik”, mund të japë një shembull pozitiv duke kërkuar një falje – qoftë edhe vetëm një herë.

Nëse kjo thirrje do të dëgjohet apo do të mbulohet nga “analizat e motit”, mbetet për t’u parë. Për momentin, duket se “Opinion”-i ka fituar edhe një episod shtesë… jashtë ekranit.