Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Kryeministri Edi Rama ka hyrë zyrtarisht në fazën e re të komunikimit publik, ku në mungesë të mbledhjeve të gjata qeverie, mbledhjet i bën me gazetarët, njëri pas tjetrit, përmes statuseve që zgjaten më shumë se inceneratorët.

Kryeministri Edi Rama ka hyrë zyrtarisht në fazën e re të komunikimit publik, ku në mungesë të mbledhjeve të gjata qeverie, mbledhjet i bën me gazetarët, njëri pas tjetrit, përmes statuseve që zgjaten më shumë se inceneratorët.
Fillimisht, Rama u ndal te gazetari Blendi Fevziu, të cilin e akuzoi se ka “fabrikuar një shpifje me shtatë bishta”, duke pretenduar se ministra të qeverisë udhëtojnë jashtë shtetit fundjavave, ndërsa në televizor shfaqen kaseta inspektimesh sikur janë në punë.
Sipas Kryeministrit, kjo nuk është shpifje e zakonshme, por shpifje artizanale, e punuar me “muhabete kafeneje” dhe e shoqëruar me “turravrap konfuz”, ndërkohë që Fevziu, sipas Ramës, refuzon t’i kërkojë ndjesë publikut të vet, sepse ndoshta publiku “nuk e meriton”.
Rama u ndal gjatë edhe te standardet e debateve televizive, duke kërkuar nga Fevziu të gjejë një rast në botë ku: të gjithë flasin njëkohësisht, askush nuk e dëgjon askënd dhe moderatori rri me “shkop në dorë” duke nxitur sherrin
“Nëse kjo qenka standard demokratik, atëherë ministrat s’kanë pse të hidhen me kokë në tenxheren që gërrgëron”, la të kuptohet Kryeministri, duke përdorur për herë të disatë metaforën e tenxhereve, e cila tashmë konsiderohet pasuri kombëtare.
Por Rama nuk u ndal me kaq. Në një reagim tjetër, ai kaloi nga debati politik tek mbetjet plastike, duke iu përgjigjur gazetares Klodiana Lala, të cilën e akuzoi për dezinformim lidhur me inceneratorin e Tiranës.
Sipas Kryeministrit, fajin për shishet plastike që përmbytin rrugët, lumenjtë dhe plazhet nuk e ka inceneratori, por injoranca “e ububushme” mediatike, e cila, sipas tij, shtohet çdo ditë, tamam si plastika që zbret nga lumenjtë.
“Një gazetar lexon, informohet dhe informon”, shkruan Rama, duke shtuar se për fat të keq, sot po shtohet lloji i gazetarit që: urren, shpif, dezinformon dhe kjo, sipas tij, është shumë më e lehtë sesa të lexosh e të kuptosh.
Në fund, Kryeministri konkludon se të urresh e të shpifësh është kollaj, ndërsa e kundërta kërkon punë e mund të madh – një punë që, sipas tij, disa gazetarë nuk e bëjnë dot, ndoshta sepse janë shumë të zënë duke mbushur tenxheret e debatit.
Ndërkohë, publiku mbetet i paqartë: a janë ministrat në udhëtime fundjave, a janë inceneratorët fajtorë për qeset plastike, apo thjesht Rama po bën inspektim të përditshëm të gazetarisë shqiptare, pa leje, por me miratim moral nga vetja.