Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Analisti i përhershëm i paneleve dhe dashamirës i deklaratave me volum të lartë, Baton Haxhiu, ka vendosur t’i japë fund dilemës shekullore: kush është më i korruptuar, ne apo ata? Sipas tij, përgjigjja është e thjeshtë – Gjermania, që sipas Haxhiut qenka “një prej vendeve më të korruptuara në këtë moment” dhe për pasojë duhet të heqë dorë nga çdo tentativë për t’i bërë moral Ballkanit.

Në një prononcim që thuhet se u dëgjua deri në Berlin pa përkthyes, Haxhiu deklaroi se “nuk është etike ç’ka bën Gjermania”, duke shtuar se përfaqësuesit e saj në Shqipëri nuk duhet të merren seriozisht kur flasin për politikën apo drejtësinë vendase. “Na kanë lodhur me gjëra pa lidhje”, theksoi ai, duke nënkuptuar se lodhja kombëtare tashmë duhet të shpallet trashëgimi kulturore.
Analisti kujtoi gjithashtu me nostalgji kritike se ish-kancelari i famshëm Gerhard Schröder “ka punuar për Putin me vite”, duke lënë të kuptohet se para se Berlini të flasë për standarde, duhet të bëjë një “selfie morale” para pasqyrës. Nga ana tjetër, Vladimir Putin ende nuk ka reaguar, por burime imagjinare thonë se po mendon të hapë një filial këshillimi etik në Ballkan.
Ndërkohë, ekspertë të portalit tonë sugjerojnë që situata të zgjidhet me një ndeshje miqësore korrupsioni: Shqipëria kundër Gjermanisë, me VAR-in e vendosur në ndonjë ambasadë neutrale. Fituesi merr të drejtën ekskluzive për të bërë moral për katër vitet e ardhshme.
Deri atëherë, qytetarët këshillohen të konsumojnë deklarata me masë dhe të mos i përziejnë me realitetin, pasi mund të shkaktojnë konfuzion akut politik.