E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Shqipëria mes ujit dhe flakës: digjemi në “5 Maj”, mbytemi në shi dhe lutemi në heshtje

E premte, 9 janar 202620 lexime

Nga njëra anë, vendi përmbytet nga reshjet e shiut, nga ana tjetër digjet nga zjarret. Shqipëria, duket, po teston të gjitha elementët njëherësh: ujë, zjarr dhe – më i forti – durimin e qytetarëve.

Shqipëria mes ujit dhe flakës: digjemi në “5 Maj”, mbytemi në shi dhe lutemi në heshtje
Foto: Arkiva
Media shtese
Shqipëria mes ujit dhe flakës: digjemi në “5 Maj”, mbytemi në shi dhe lutemi në heshtje photo 1
Shqipëria mes ujit dhe flakës: digjemi në “5 Maj”, mbytemi në shi dhe lutemi në heshtje photo 2

Ndërsa Shqipëria numëronte pikat e shiut që përmbytën rrugë, shtëpi e shpresa, Tirana vendosi të shtonte edhe pak zjarr në panoramë. Mbrëmjen e djeshme, magazinat e tregut të shumicës në zonën e “5 Majit” u përfshinë nga flakët, duke konfirmuar edhe një herë se në këtë vend elementët e natyrës bashkëpunojnë më mirë se institucionet.

Zjarri, i cili dogji dy kapanone dhe mbi 100 magazina, u vu “nën kontroll”, sipas autoriteteve, një shprehje elastike që në Shqipëri do të thotë: flakët u lodhën vetë. Ndërkohë, tregtarët panë si u shkrinë në tym miliona euro mallra, investime dhe vite pune. Sigurimet? Një luks teorik. Bizneset? “Në qiell të hapur”, siç e përshkruan realitetin një tregtar që sot ka vetëm hirin për inventar.

Nga njëra anë, vendi përmbytet nga reshjet e shiut, nga ana tjetër digjet nga zjarret. Shqipëria, duket, po teston të gjitha elementët njëherësh: ujë, zjarr dhe – më i forti – durimin e qytetarëve. Autoritetet ishin në terren, me deklarata, perimetra sigurie dhe fjali standarde për “mungesë rreziku për zonat e banuara”. Përgjegjësia? U avullua bashkë me tymin.

Shkaku i zjarrit ende “nuk dihet”, por elektriciteti dyshohet, sepse në këtë vend gjithmonë dyshohet diçka, por rrallëherë provohet dhe pothuajse kurrë nuk përgjigjet askush. Ndërsa tregtarët rrëfejnë humbje marramendëse dhe një jetë të shkrumbuar, shteti u ofron ngushëllim moral dhe këshillën e artë: shmangni zonën.

Në fund, qytetarët mbeten mes shiut dhe flakës, me sytë nga qielli – jo për parashikimin e motit, por për shpresë. Sepse kur institucionet merren me deklarata, sigurimet me justifikime dhe përgjegjësia me pushim të përhershëm, mbetet vetëm Zoti. Dhe Ai, si gjithmonë, ka radhë të gjatë.