Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Ndërkohë, emigrimi vazhdon të jetë politika më e suksesshme e punësimit. Të rinjtë largohen në përqindje “optimiste”, duke çliruar hapësira parkimi dhe ulur presionin mbi tregun e punës… në letër.

Shqipëria vijon marshimin e saj triumfal drejt zhvillimit, ndërsa qytetari i thjeshtë e ndjek këtë rrugëtim nga trotuari, duke bërë llogaritë nëse rroga i del deri më 20 të muajit apo jo.
Kullat po rriten më shpejt se fëmijët, resortet mbijnë si kërpudha pas shiut dhe turizmi “ka thyer rekorde”, sipas çdo njoftimi zyrtar. Ndërkohë, qytetari mesatar po thyen rekord personal: të mbijetojë me një rrogë që duket sikur është llogaritur për vitin 2004, por shpenzohet në çmimet e vitit 2026.
Ekspertët e zhvillimit urban shpjegojnë se zhvillimi ekziston, por është “i specializuar”: – i aksesueshëm për ata që kanë mikun e duhur, – i dukshëm nga lart, nga kati i 27-të i një kulle, – dhe i prekshëm vetëm në billboard-e.
Ndërkohë, emigrimi vazhdon të jetë politika më e suksesshme e punësimit. Të rinjtë largohen në përqindje “optimiste”, duke çliruar hapësira parkimi dhe ulur presionin mbi tregun e punës… në letër.
Sa i përket korrupsionit, ai nuk është problem, por traditë. Nga kolaudimi i makinës e deri te tenderat miliona euro, sistemi funksionon mbi parimin e vjetër shqiptar: “Pa mik, s’ka punë”, tashmë i njohur edhe si networking informal kombëtar.
Çmimet në supermarkete vazhdojnë të rriten me ritme amerikane, ndërsa rrogat insistojnë të mbeten patriotike. Nafta ka çmim europian, shtëpitë kanë çmim metropolash botërore, ndërsa qiratë janë menduar për qytetarë që jetojnë në Shqipëri, por paguhen nga Zvicra.
Pyetjes se çfarë përfiton realisht njeriu i thjeshtë nga ky zhvillim, autoritetet ende nuk i janë përgjigjur. Burime pranë realitetit thonë se përgjigjja pritet të dalë së bashku me rritjen e rrogave, uljen e çmimeve dhe zhdukjen e “mikut” – pra, në një fazë të dytë zhvillimi.
Ndërkohë, qytetarët duken të qetë. Disa e quajnë apati, disa lodhje, të tjerë thjesht gjumë kolektiv. Shqipëria po zhvillohet, njerëzit po përshtaten, dhe gjithçka duket në rregull… për aq kohë sa e sheh nga larg.