E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Spiropali “kërcënon" Rusinë, Kremlini hyn në gjendje alarmi

E premte, 9 janar 202612 lexime

Në një postim në rrjetin X, Spiropali dënoi ashpër sulmin rus pranë kufijve të BE-së dhe NATO-s, duke e cilësuar si kërcënim për sigurinë europiane.

Spiropali “kërcënon" Rusinë, Kremlini hyn në gjendje alarmi
Foto: Arkiva

TIRANË – Burime të paqarta diplomatike raportojnë se Kremlini ka hyrë në gjendje alarmi pas deklaratës së Ministres së Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila “kërcënoi” Rusinë me masa të forta ndërkombëtare nga distanca e sigurt e një vendi të vogël, por me zë të madh moral.

Në një postim në rrjetin X, Spiropali dënoi ashpër sulmin rus pranë kufijve të BE-së dhe NATO-s, duke e cilësuar si kërcënim për sigurinë europiane. Analistët satirikë vlerësojnë se ky reagim mund të ketë shkaktuar shqetësim serioz në Moskë, ku thuhet se Vladimir Putin ka pyetur urgjent: “Po Shqipëria çfarë do bëjë tani?”

Deklarata e ministres u shoqërua me thirrje për “presion më të madh ndaj Moskës”, një frazë që sipas ekspertëve gjeopolitikë është përdorur aq shpesh, saqë raketat ruse nuk reagojnë më as me dridhje.

“Kur një vend me më pak banorë se një lagje e Moskës flet për përshkallëzim serioz, kjo është diplomaci e nivelit të lartë,” u shpreh një komentues anonim, duke shtuar se Rusia po rishikon strategjinë e saj ushtarake pas këtij reagimi “vendimtar”.

Ndërkohë, Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e Ukrainës, kryesisht nëpërmjet deklaratave të forta, statuseve solemne dhe qëndrimeve morale që udhëtojnë me shpejtësinë e Wi-Fi-t diplomatik.

Në Moskë ende nuk ka reagim zyrtar, por burime satirike pohojnë se një zyrtar rus është dëgjuar të thotë: “Ky ishte paralajmërimi i fundit. Kur flet Tirana, bota duhet të dëgjojë.”