Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot një “takim të nivelit të lartë” në Shtëpinë e Bardhë, i cili sipas burimeve optimiste u zhvillua diku mes korridorit, makinës së kafes dhe zyrës së pritjes.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot një “takim të nivelit të lartë” në Shtëpinë e Bardhë, i cili sipas burimeve optimiste u zhvillua diku mes korridorit, makinës së kafes dhe zyrës së pritjes.
Në ambientet prestigjioze të Uashingtonit, Spiropali u prit nga Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump dhe njëkohësisht Drejtor i Lartë për Europën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare — një titull mjaftueshëm i gjatë për t’u dukur si takim “head-to-head”, edhe pse praktikisht bëhet fjalë për një zyrtar disa kate larg Oval Office.
Takimi, i paraqitur publikisht me tonet e diplomacisë së rëndë, u fokusua në thellimin e partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht në rolin “historik” të Shqipërisë si Anëtare-Themeluese e Bordit të Paqes — një rol që në njoftim tingëllon global, por që në terren ende po kërkon adresë zyrtare.
Në një postim entuziast në rrjetet sociale, Spiropali theksoi se përfaqësimi nga Kryeministri Rama në këtë iniciativë “fisnike” të Presidentit Trump ripozicionon Shqipërinë si faktor kyç i paqes botërore, duke lënë të kuptohet se Tirana dhe Uashingtoni janë tashmë në një linjë direkte… të paktën në LinkedIn.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se takimi kaloi në një klimë miqësore, me shumë fotografi nga kënde strategjike, ku distanca institucionale u kompensua me afrim kamerash, ndërsa rëndësia politike u sigurua përmes një njoftimi me fjalë të mëdha dhe germa kapitale.
Në fund, mbetet e paqartë nëse Shqipëria fitoi më shumë peshë në politikën globale, apo nëse thjesht u konfirmua edhe një herë se në diplomaci, titulli që duket në Facebook shpesh peshon më shumë se karrigia ku u ule. (lajm satirik)