Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë
KF Teuta ka tronditur tregun ndërkombëtar të transferimeve, duke finalizuar një shitje historike drejt Japonisë.

KF Teuta ka tronditur tregun ndërkombëtar të transferimeve, duke finalizuar një shitje historike drejt Japonisë. Mbrojtësi brazilian Gabriel Gomes është transferuar te FC Imabari për shumën marramendëse prej 30 mijë eurosh, një shifër që konfirmon fuqinë financiare dhe vizionin global të klubit durrsak.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se negociatat kanë qenë të vështira, pasi japonezët fillimisht ofruan më pak, por Teuta qëndroi fort, duke mos pranuar të ulë asnjë euro nga shuma astronomike. Në fund, marrëveshja u mbyll me sukses, duke e çuar Superligën shqiptare edhe një herë në hartën botërore të futbollit.
Gabriel Gomes, i cili në vetëm gjashtë muaj u shndërrua në “mur mbrojtës” dhe atraksion të kampionatit, largohet nga Shqipëria si një nga shitjet më të bujshme të dimrit, të paktën në aspektin simbolik. Një mbrojtës që bënte diferencën në fushë, tani bën diferencën… në bilanc.
Sipas drejtuesve të klubit, kjo është një strategji afatgjatë: të rritësh lojtarë, t’i valorizosh dhe t’i shesësh në tregje ekzotike për shuma që të lënë pa frymë, por jo pa humor.
“30 mijë euro nuk janë pak, janë një fillim i madh”, mësohet të kenë thënë burime zyrtare, duke shtuar se klubi tashmë po studion investime madhore, si riparimi i dyerve të dhomave të zhveshjes ose blerja e disa topave të rinj.
Nga ana e tij, Gomes largohet drejt J2 League me një kontratë dyvjeçare, ndërsa Teuta fiton përvojë ndërkombëtare, prestigj dhe bindjen se edhe Japonia po na zbulon.
Klubi falënderon futbollistin për kontributin dhe i uron suksese në aventurën e re, duke theksuar se dera e Durrësit mbetet gjithmonë e hapur — sidomos nëse ndonjë klub tjetër ofron… 35 mijë.