E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

THIRRJE KOMBËTARE: Populli të shpëtojë ish-Presidentin Meta, nuk po ia del dot deri në fund të muajit

E mërkurë, 14 janar 20266 lexime

Në një letër prekëse, të lexuar me lot në sy nga Tedi Blushi, Meta deklaroi se për plot 28 vite karrierë shtetërore ka arritur të grumbullojë vetëm 87 milionë lekë – një shumë që sipas ekspertëve “nuk të mban as dy pensione, jo më një ish-President”.

THIRRJE KOMBËTARE: Populli të shpëtojë ish-Presidentin Meta, nuk po ia del dot deri në fund të muajit
Foto: Arkiva

Ish-Presidenti, ish-Kryeministri, ish-Kryetari i Kuvendit dhe aktualisht ish-gjithçkaje tjetër, Ilir Meta, ka lëshuar një klithmë që ka tronditur themelet e Republikës: ai qenka pa para.

Në një letër prekëse, të lexuar me lot në sy nga Tedi Blushi, Meta deklaroi se për plot 28 vite karrierë shtetërore ka arritur të grumbullojë vetëm 87 milionë lekë – një shumë që sipas ekspertëve “nuk të mban as dy pensione, jo më një ish-President”.

“Zero qindarkë e paligjshme, zero metra katrorë”, – mësohet të ketë thënë Meta, duke shtuar se është gati të intervistohet edhe nga burgu 313, sepse varfëria nuk njeh pranga.

Burime pranë Partisë së Lirisë bëjnë me dije se gjendja ekonomike e Metës është aq e rëndë, saqë:

Ajrosjen nuk e bën çdo ditë, për të kursyer energji

Nuk takon deputetë, se “s’ka as kafe për t’u ofruar”

Eurodeputetët refuzohen, sepse eurot i ngatërrojnë me ëndrra të parealizuara

Ndërkohë, Avokati i Popullit ka dhënë rekomandime, por askush nuk i ka zbatuar, ndoshta sepse askush nuk e beson që një njeri që ka qenë gjithçka, sot s’paska asgjë.

Partia e Lirisë pritet të hapë së shpejti fushatën humanitare: “Një kafe për Ilirin”, ku qytetarët mund të kontribuojnë me:

100 lekë për ajrosje

200 lekë për intervistë

500 lekë për të shtyrë muajin

Në fund të letrës, Meta i bën thirrje popullit: “Mos më lini vetëm. Edhe në Rusi intervistohen politikanët e burgosur. Ndihmoni që Shqipëria të mos mbetet pas Rusisë… të paktën në varfëri.”

Ndërsa vendi pret zhvillime të reja, një gjë është e sigurt: kur një ish-President thotë se nuk ia del dot deri në fund të muajit, populli duhet të zgjedhë – të qajë apo të qeshë.