E enjte, 26 shkurt 2026Durrës, Nr. 11

Fletore serioze që s'merret me pollatika se ka frikë

Lesh e Li

Organ NacionalistBotim i përditshëmNeoshqiptar

Tryeza e Frontit Opozitar, pa opozitë: Berisha mbledh aktorë, gazetarë dhe këngëtarë për të shpëtuar Shqipërinë

E premte, 9 janar 20269 lexime

Pas refuzimit kategorik nga “Mundësia” e Agron Shehajt, “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorrit dhe “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, organizatorët vendosën të mos e lënë tryezën bosh dhe e plotësuan mozaikun opozitar me një përzgjedhje të kujdesshme aktorësh, gazetarësh dhe figurash publike, të gatshëm për çdo rol, nga monolog politik te refren revolucioni.

Tryeza e Frontit Opozitar, pa opozitë: Berisha mbledh aktorë, gazetarë dhe këngëtarë për të shpëtuar Shqipërinë
Foto: Arkiva

Tryeza e shumëpritur e “Frontit të Gjerë Opozitar”, e thirrur nga Sali Berisha për të rrëzuar “regjimin”, rezultoi një takim historik: për herë të parë në pluralizmin shqiptar, opozita u mblodh pa partitë opozitare të reja.

Në mungesë të partive, opozita u përfaqësua nga Neritan Liçaj, i cili mbajti një fjalim dramatik mes teatrit dhe politikës, si dhe nga Beti Njuma, që solli ekspertizë të konsoliduar në analizimin e regjimeve autoritare nga divani i studiove televizive.

Burime pranë tryezës bëjnë me dije se Berisha u shpreh i qetë për bojkotin e partive të reja, duke theksuar se “jo të gjithë janë gati për betejë”, ndërsa shtoi se “rëndësi ka fryma, jo logoja”, sidomos kur logoja refuzon të vijë.

Ndërkohë, karriget e rezervuara për Shehajn, Qorrin dhe Lapajn u shpallën zyrtarisht “karrige teknike”, me funksion simbolik: të tregojnë se opozita është e hapur, edhe kur dera mbetet e mbyllur.

Tryeza përfundoi me thirrje të forta për demokraci, zgjedhje të lira dhe drejtësi të pavarur, ndërsa u la e hapur mundësia që në takimet e ardhshme frontit t’i bashkohen edhe poetë, piktorë apo DJ, në rast se partitë vazhdojnë të mos përgjigjen.

Siç u shpreh një pjesëmarrës në dalje: “Rëndësi ka që rezistenca vazhdon. Edhe nëse nuk jemi shumicë politike, jemi shumicë artistike.”